“Connect Albania”, programi ambicioz për angazhimin e Diasporës në vendlindje.

“Connect Albania”, programi ambicioz për angazhimin e Diasporës në vendlindje.

Ecuria e programit “Connect Albania” ishte fokusi i takimit midis Ministrit të Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko, zv. Ministrit të Ekonomisë dhe Financave dhe përfaqësuesve të IOM Albania (Organizata Ndërkombëtare për Migracionin).

Në fjalën e tij, Ministri i Shtetit për Diasporën theksoi rëndësinë e këtij programi. “Për mua ky projekt është shumë i rëndësishëm dhe ka qenë ndër projektet e para që unë kam diskutuar nga momenti që jam emëruar në këtë detyrë. Mendoj se është shumë e rëndësishme të fokusohemi të gjithë bashkë në hapat e parë, në mënyrë që të kemi një ecuri të mirë”,- u shpreh Ministri Majko.
Zv.Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Besart Kadia shprehu besimin se projekti do të rezultojë i suksesshëm. “Jam besimplotë se këto projekte do të ecin shumë mirë. Është shumë e rëndësishme që agjencitë të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën në mënyrë që puna të ecë me ritme më të shpejta”.
Ndërsa znj. Manoela Lussi, Menaxhere e Programit të Diasporës tek IOM u shpreh se do të jetë aktive dhe e gatshme në çdo kohë për të ndjekur proçesin e punës në lidhje me projektin “Connect Albania”.
E pranishme në këtë takim ishte edhe Drejtorja Ekzekutive e Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës.
Programi “Connect Albania” i cili funksionon pranë Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare do të angazhojë si Agjentë Zhvillimi anëtarët e Diasporës Shqiptare në të gjithë botën, me një fokus të veçantë fillimisht në Diasporën Shqiptare e cila jeton në Itali.
Ky është një program që financohet nga AICS (Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim) dhe implementohet nga IOM Albania në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Diasporën.
Përmes këtij programi, Diaspora Shqiptare do të tërheqë investime të huaja duke i dhënë kështu një kontribut zhvillimit ekonomik dhe social në Shqipëri. Protagonistët e ndërmjetësimit do të marrin edhe shpërblimin financiar të suksesit të investimit.
Anëtarët e Diasporës Shqiptare që duan të jenë Agjentë Zhvillimi dhe për investitorët potencialë, të cilët do të kenë mundësinë të njohin motivet e mundësitë e shumta të investimit në truallin shqiptar.