Digi Diaspora – Meetup #2, datë 2 Qershor 2021

Digi Diaspora – Meetup #2, datë 2 Qershor 2021

Më datë 2 qershor 2021, u mbajt aktiviteti Digi Diaspora 2 – Meetup #2, me qëllimin e ofrimit të njohurive në fushën e IT-së, duke angazhuar profesionistë të kualifikuar nga Diaspora shqiptare. Synimi kryesor i këtij eventi, është forcimi i kapaciteteve të bizneseve lokale dhe komunitetit digjital, si dhe rrjetëzimi profesional. Pjesëmarrësit nga vende të ndryshme të botës, si SHBA, Kanada, Zvicra etj. ndanë eksperiencat dhe njohuritë e tyre profesionale në fushën e teknologjisë, duke dhënë një panoramë të situatës së industrisë informatike.
U theksua zhvillimi i dukshëm i kapaciteteve të profesionistëve shqiptarë, të cilët janë bërë dhe faktor në investimin dhe krijimin e sipërmarrjeve të reja, si brenda dhe jashtë vendit.
Në këtë organizim të tipit Uebinar në platformën ZOOM, j’u dha mundësia të gjithë të interesuarve të bënin pyetje rreth temës së teknologjisë, duke u thelluar tek avantazhet dhe diasavantazhet e ushtrimit të profesionit në Diasporë.
Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, si partner i këtij organizimi u prezantua me përgjegjësin e sektorit të mbështetjes së sipërmarrjes z. Arian Leço dhe përfaqësuesin për projektet e IT-së, z. Enxhi Mete. Ata shprehën vlerësimin e tyre për zhvillimin e këtij eventi dhe prezantuan projektet e FSHZHD-së, si Diaspora për Zhvillim, Diaspora Shkencore, Dhoma e Biznesit të Diasporës dhe Gazeta e Diasporës Shqiptare. U prezantua Platforma e Rrjetit të Profesionistëve, në të cilën tashmë janë regjistruar mbi 2200 profile, 1400 prej të cilëve janë profesionistë të fushave të ndryshme, 400 organizata dhe shoqata, 400 biznese dhe sipërmarrje shqiptare në botë. Platforma “Digjitalizimi i Veprave Shqiptare”, me 184 vepra të publikuara dhe lehtësisht të prekshme nga publiku. Nuk u la pa përmendur dhe Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare, e cila ofron promovimin, zhvillimin dhe nxitjen e kapitaleve Investuese nga Diaspora në Shqipëri, dhe projekti “Connect Albania” si një urë lidhëse midis investitorëve të huaj dhe Shqipërisë. Një prej projekteve më të suksesshme është edhe Gazeta Diaspora Shqiptare, e cila është një organ mediatik plotësisht i dedikuar për Diasporën, ku prej lançimit të saj më 4 prill 2020, ka arritur një audiencë prej më shumë se 1 milion lexuesish shqiptarë në mbarë botën. Prezantimi ngjalli interes dhe diskutim midis pjesmarrësve dhe prezantuesve, ku u nda informacion gjithashtu edhe rreth institucioneve të tjera në varësi të Ministrit të Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko, për mbështetjen që i japin Diasporës shqiptare.
#diasporashqiptare #unëjamshqiptar #diasporapërzhvillim