Dita Ndërkombëtare e Remitancave – AKD/MSHD & BSH

Dita Ndërkombëtare e Remitancave – AKD/MSHD & BSH

Agjencia Kombëtare e Diasporës, me mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Diasporën dhe Bankës së Shqipërisë, organizoi aktivitetin “Dita Ndërkombëtare e Remitancave”, duke vlerësuar këtë kontribut të remitancave në dobi të familjeve të vendit si dhe formalizimin e kanaleve të dërgimit të tyre në atdhe, objektiva kryesore këto dhe të Strategjisë Kombëtare të Diasporës.
Takimi u hap nga fjala e ministrit të Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko: “Mendoj që takimi i sotëm është i një rëndësie të veçantë. Arsyetimi mbështetet tek Strategjia Kombëtare e Diasporës, është në një moment të rëndësishëm të aplikimit të vet. Është ndër sektorët e rrallë të Republikës së Shqipërisë që brenda 4 viteve është strategjia e dytë që aplikohet për diasporën dhe marrëdhëniet e shtetit shqiptar me Diasporën”, – u shpreh z. Majko.
Pjesë e panelit të dytë ishin të ftuar z. Lazim Destani, President Nderi i Dhomës së Biznesit të Diasporës dhe z. Ardian Lekaj, Kryetar i DHBD. Në fjalën e tij, z. Destani u shpreh se kontributi i Diasporës shqiptare ka qenë gjithmonë i jashtëzakonshëm. Në gjirin e diasporës tonë ka shumë profesionistë të aftë që e kanë dëshmuar veten në fusha të ndryshme. Një mundësi shumë e mirë do të ishte dhe krijimi i kushteve nga institucionet e shtetit për bashkëpunime me institucione të rëndësishme në botë. Tashmë kemi dhe Dhomën e Biznesit të Diasporës në Tiranë që është një urë lidhëse për bashkëpunime dhe organizime”, – përfundoi z. Destani.
Kryetari i Dhomës së Biznesit të Diasporës z. Lekaj, falenderoi organizatorët për këtë takim në ditën e Remitancave si një mundësi shkëmbimi mendimesh mes kolegëve. “Disa nga ju komentuan politika të reja financiare dhe sigurisht ju jeni ekspertë dhe do të punoni që tí realizoni këto pika, por ajo që unë do këshilloja, është përdorimi i remitancave si kolateral për periudhë krizash. Gjithashtu, krijimi i një sistemi regjistrimi të strukturuar për të luftuar informalitetin. Dhoma e Biznesit të Diasporës është krijuar pikërisht për të qenë një urë bashkëpunimi dhe ju ftoj të anëtarësoheni”, – u shpreh z.Lekaj.