Fillon punën Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare

Fillon punën Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare

Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare ka nisur punën e saj.
Dhoma e Biznesit të Diasporës është një institucion që ka për qëllim krijimin e një fryme bashkëpunimi ekonomik mbarëshqiptar, nëpërmjet nxitjes së investimeve direkte dhe partneriteteve, ofrimit të informacionit të detajuar për të nxitur dhe orientuar sipërmarrjet dhe kapitalin investues të Diasporës në ekonominë e vendit.
Projekti i Dhomës së Biznesit të Diasporës ka si qëllim të asistojë dhe mbështesë në ngritjen dhe funksionimin e kësaj dhome, si një mekanizëm për angazhimin e Diasporës në nxitjen e sipërmarrjeve, lehtësimin e tregtisë dhe përmirësimin e profileve të investimeve në Shqipëri që do të mundësohen përmes aktiviteteve.
Në kuadër të programit “Angazhimi Diasporës Shqiptare në Zhvillimin Social dhe Ekonomik të Shqipërisë”, i cili zbatohet nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, Agjencia e OKB për Migracionin dhe financohet nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS), mekanizmi “Connect Albania” parashikon krijimin e një njësie brenda Dhomës së Tregtisë së Diasporës, me një grup profesionistësh që do të marrin informacionin e plotë në lidhje me procedurat e investimeve në Shqipëri, fushat prioritare të investimeve dhe do të lehtësojnë dhe koordinojnë të gjitha hapat dhe procedurat e investimeve të kërkuara.