Marrëveshja/ Ministri i Shtetit për Diasporën dhe IOM, bashkëpunim në projektet për diasporën

Marrëveshja/ Ministri i Shtetit për Diasporën dhe IOM, bashkëpunim në projektet për diasporën

Ministri i Shtetit për Diasporën dhe IOM (Organizata Ndërkombëtare për Migracionin), kanë firmosur një marrëveshje bashkëpunimi me interesa të përbashkëta për sa i përket promovimit dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve shqiptare, që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe vendeve pritëse.

Sipas kësaj marrëveshjeje, dy palët mund të vendosin të veprojnë bashkarisht në zbatimin e projekteve me institucionet e Ministrisë së Diasporës: Agjencinë Kombëtare të Diasporës, Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, Qendrën e Botimeve për Diasporën dhe Qendrën e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, që janë me interes të përbashkët.
Gjithashtu, të dyja palët mund të krijojnë komisione, komitete ose organe të tjera teknike/këshilluese, për t’i orientuar ata për çështje me interes të përbashkët.
Fushat e bashkëpunimit mes dy institucioneve do të jenë: angazhimi i diasporës për zhvillim në përputhje me politikat e përgjithshme për zhvillim territorial dhe forcim institucional, nëpërmjet transferimit të aftësive dhe dijeve, si dhe angazhimit të diasporës në zhvillimin e vendit nëpërmjet investimeve.
Një fokus të veçantë, ka edhe zbatimi i programit “Angazhimi i Diasporës Shqiptare në Zhvillimin Social dhe Ekonomik të Shqipërisë”, që do të ketë interesin e bashkëpunimit të Ministrit të Shtetit për Diasporën dhe IOM.