Ministri Majko mori pjesë në konferencën “Sud e Futuri” në Itali

Ministri Majko mori pjesë në konferencën “Sud e Futuri” në Itali

Ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko mori pjesë edhe në ditën e dytë të konferencës “Sud e Futuri”, e cila u zhvillua në Mondello (Palermo), Itali.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri Majko përgëzoi inciativën e Fondacionit “Magna Grecia” për organizimin e kësaj konference, pasi ka një rëndësi për gjenerimin e ideve të reja që ndikojnë pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe kulturor jo vetëm të vendeve të jugut të Italisë, por të gjitha vendeve të Mesdheut.

“Ky është një diskutim i vlefshëm jo vetëm për Italinë, por edhe për vendet e tjera të Mesdheut. Për të kuptuar ndryshimin, na duhet të kuptojmë situatën ku ndodhemi. Strategjitë shpesh u ngjajnë “urave” të paqëndrueshme. Në Sicili, e ke të vështirë të flasësh kur di se sa shumë ka për t’u bërë. “Jugu dhe e Ardhmja” (Sud e Futuri), na kujtojnë një definicion që po bëhet ndërkombëtar. Ai përfaqëson ndarjen e “veriut” të pasur dhe “jugut” të bukur por më të varfër”, – u shpreh ministri Majko.

Gjithashtu, ai vlerësoi edhe punën e Fondacionit “Magna Grecia” në promovimin e vlerave kulturore dhe ngritjen e cilësisë së jetesës në të gjitha vendet e Italisë në përgjithësi.

Kjo konferencë tre ditore i dha rëndësi diskutimeve për zhvillimin socio-ekonomik të pjesë jugore të Italisë mes ekspertëve të fushave të ndryshme nga vendet e Mesdheut.