Në Forumin e Biznesit “Shqipëria, porta e Ballkanit” në Holandë

Në Forumin e Biznesit “Shqipëria, porta e Ballkanit” në Holandë

Ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko mori pjesë në Forumin e Biznesit që po zhvillohet në Rotterdam të Holandës me temë “Shqipëria, porta e Ballkanit”.

Duke u ndalur fillimisht tek situata në të cilën gjendet vendi ynë, ministri Majko tha se në të tilla situata nuk duhet humbur koha duke menduar për atë që ndodhi, por duhet të shohim përpara me shpresë.

“Nje pjesë e Tiranës është e dëmtuar, Durrësi në pjesën më të madhe të tij, por kjo nuk duhet të na pengojë që të shohim përpara, të shpresojmë dhe të vazhdojmë më të fortë se kurrë. Kjo është dhe arsyeja përse ne javën e kaluar nuk e anuluam krijimin e Dhomës së Biznesit të Diasporës dhe vendosëm të vazhdojmë përpara, për të mos humbur shpresat për zhvillimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha ai.

Ministri Majko, gjithashtu u ndal tek situata e biznesit në Shqipëri dhe biznesit të vendeve perëndimore, të cilat kanë shërbyer si model për vendin tonë, kjo e sjellë tek ne nga përvoja e sipërmarrësve të Diasporës, të cilët kanë dhënë një kontribut në vendin e origjinës.

Gjithashtu, ministri prezantoi edhe Dhomën e Biznesit të Diasporës, institucionin e ri që do të ofrojë mbështetje për investime në vendin tonë.

E pranishme në këtë forum ishte edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, znj. Elisa Spiropali, e cila foli për situatën që po kalon këto ditë Shqipëria. Ajo gjithashtu u ndal tek siguria dhe drejtësia në Shqipëri, duke theksuar se Shqipëria është një vend, i cili po krijon kushte më të mira për biznes duke afruar edhe të huajt për krijimin e bashkëpunimeve për investime në vendin tonë.

I pranishëm në këtë forum, sipërmarrësi shqiptar në Holandë dhe anëtar i KKD-së, i cili mban pozicionin e kryetarit të Dhomës së Biznesit të Diasporës, z. Ardian Lekaj theksoi se Shqipëria po jep një imazh të mirë sot. Kudo, janë krijuar plot mundësi të reja tashmë, të cilat janë dhe një mundësi e mirë për të sjellë ndryshime në të ardhmen e vendit tonë, pasi e shkuara tashmë ka ikur dhe është e pandryshueshme.

Forumi “Shqipëria, porta e Ballkanit” ka si fokus i diskutimet mes specialistëve ndërkombëtarë dhe shqiptarë për mundësitë që ofron biznesi dhe turizmi në vendin tonë.

Ky forum është një inciativë për mbledhjen e fondeve në Holandë, si ndihmë ndaj të prekurve nga tërmeti i 26 Nëntorit.