Konferenca “Kërkimi Shkencor në Hapësirën Mbarëshqiptare dhe Roli i Diasporës Shqiptare”

Konferenca “Kërkimi Shkencor në Hapësirën Mbarëshqiptare dhe Roli i Diasporës Shqiptare”

Konferenca “Kërkimi Shkencor në Hapësirën Mbarëshqiptare dhe Roli i Diasporës shqiptare”, organizuar nga Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës dhe Instituti “Alb-Shkenca” nën kujdesin e Ministrit të Shtetit për Diasporën dhe mbështetjen e GIZ Shqipëri – Bashkëpunimi Gjerman për Zhvillim.

Në ditën e parë të konferencës, diskutimet u ndanë në gjashtë panele tematike, me fokus fushën e arsimit, historiografisë, mjekësisë, drejtësisë, gjuhës dhe kulturës shqipe si dhe ekonomisë. Panelet ishin të orientuara në këto fusha specifike aty ku edhe studiuesit shqiptarë brenda dhe jashtë vendit janë të angazhuar më tepër.

Studiuesit shqiptarë diskutuan për problematikat specifike, mundësitë për përmirësimit e tyre dhe krijimin e një bashkëpunimi reciprok për të dhënë kontribut në trevat shqiptare.

Në panelin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, u diskutua për infrastrukturën e arsimit shqiptar, paneli i Mjekësisë u përqendrua tek një nga problemet më emergjente që ka mjekësia shqiptare sot, migrimi i mjekëve dhe infermierëve. Në panelin e Historiografisë u prezantuan çështje me rëndësi për sfidat dhe problemet e historisë kombëtare.

Në përfundim të ditës së parë të Konferencës Shkencore, Moderatorët e Paneleve tematike dhe Drejtoresha Ekzekutive e Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës znj. Soana Jaupllari prezantuan konkluzionet e nxjerra nga diskutimet dhe referimet në panele, të cilat do të shërbejnë edhe si rekomandime për institucionet vendimmarrëse për politikat e Diasporës Shqiptare. Në fjalën e saj, znj. Jaupllari u shpreh se organizimi i këtij aktiviteti ka për qëllim të lehtësojë shkëmbimin shkencor të rezultateve të arritura nga ndërmarrja e studimeve në disa fusha, lehtësimin e komunikimit ndërmjet kërkuesve dhe profesionistëve të kualifikuar shqiptarë dhe atyre në Diasporë por edhe krijimin e një ambienti të favorshëm për forcimin e marrëdhënieve midis institucioneve akademike shqiptare dhe atyre të huaja.

Në ditën e dytë të konferencës shkencore, studiuesit mbarëshqiptarë prezantuan punën e tyre kërkimore sipas fushës së studimit, në një nga pesë panelet: Konferenca e Shkencave të Filologjisë, Historisë e Kulturës; Konferenca e Shkencave Juridike, Ekonomike dhe Sociale; Konferenca e Shkencave të Bujqësisë; Konferenca e Shkencave të Natyrës dhe Mjedisit si dhe Konferenca e Shkencave të Mjekësisë.

Temat e trajtuara ishin shumë specifike, ato sollën kërkime të detajuara nga sfera të ndryshme, disa nga to prezantuan raste nga Shqipëria ndërsa një pjesë e tyre ishin të përqendruara në ndryshimet që po përjeton sot bota shkencore.

Në fund të prezantimeve në secilën nga konferencat, pjesëmarrësit morën certifikata.

Ky takim për herë të parë këtë vit është organizuar nga Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës në bashkëpunim me institutin Alb-Shkenca dhe mbështetjen e veçantë të Ministrit të Shtetit për Diasporën.

Programi ishte i ndarë në panele që u zhvilluan në ditën e parë dhe konferencat në ditën e dytë, të cilat u ndanë në bazë të fushës së studimit të kërkuesve shkencor shqiptarë.

Aktiviteti kishte si qëllim nxitjen e komunikimit mes elitës shqiptare, sjelljen e përvojës së studiuesve në Diasporë në vend dhe lidhjen me studiuesit shqiptar, për të përmirësuar situatën e kërkimit shkencor në Shqipëri, por edhe për të qenë një organizëm i rëndësishëm që sjell zhvillim në vend.