Samiti i Grave të Biznesit – Ministri i Shtetit për Diasporën z. Majko: Gratë, një potencial i pashfrytëzuar

Samiti i Grave të Biznesit – Ministri i Shtetit për Diasporën z. Majko: Gratë, një potencial i pashfrytëzuar

Në aktivitetin “Samiti i Grave të Biznesit”, gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko, foli mbi rolin e gruas në biznes dhe kontributin e tyre në Diasporë.

“Është shumë e thjeshtë të flasësh për politikë të re dhe marrëdhënie me Diasporën dhe shumë e vështirë ta aplikosh atë në moment praktik, nganjëherë në këtë marrëdhënie të ndërlikuar arrin të kuptosh se puna në këtë drejtim i ngjan mbjelljes dhe rritjes së ullirit, duhet të punosh me ngulm e mendoj se për të pasur rezultate aktiviteti i Samitit është një nga ngjarjet e veçanta që organizohen nga Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës dhe Dhoma e Biznesit të Diasporës. Për fat të mirë është një aktivitet që nuk bazohet tashmë vetëm në vullnetin e mirë të palëve, por një aktivitet i përvitshëm dhe në çdo rast do të kemi mundësi të rishikojmë të gjitha ato që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e dykahshme, e biznesi pa diskutim merr një rëndësi të jashtëzakonshme, ka potenciale të pazakonshme, të pashfrytëzuara në bizneset shqiptare jashtë vendit. Me kënaqësi e çudi, kur nisa punën si Ministër i Shtetit për Diasporën kam parë studimet e PNUD mbi efektet e Diasporës në situatën e krizës ekonomike në Greqi dhe ajo që më bëri përshtypje është se krahasimisht me numrin e madh të njerëzve që u kthyen nga Greqia në Shqipëri dhe të qëndronin e të merreshin me biznes, në masën 70% i takonin protagonizmit të grave. Mendoj se këto dhe shumë fakte të tjera që tregon se Samiti i Grave të Biznesit nuk vjen në ndonjë lloj boshllëku. Jemi shumë vonë për të bërë gjënë e duhur, po më mire vonë se sa kurrë. Gratë jo vetëm në biznes por edhe fusha të tjera kanë treguar një vitalitet që është i prekshëm, revolucion i padukshëm që ka ndodhur e po ndodh në Shqipëri”, – tha Majko.

Takim bën bashkë, gra sipërmarrëse të Diasporës shqiptare dhe të vendit tonë, profesioniste të reja, gra akademike dhe eksperte në fushën e biznesit, përfaqësues të institucioneve shtetërore, si dhe të organizatave ndërkombëtare, veçanërisht ato të cilat në programet e tyre kanë zhvilluar objektiva, lidhur me gratë dhe zhvillimin e tyre në fushën e biznesit dhe sipërmarrjes.
Samiti synon prezantimin e sfidave gjatë periudhës së pandemisë, përvojave dhe modeleve të suksesshme të grave sipërmarrëse. Gjithashtu dhe mundësitë e investimeve të reja si dhe krijimin e rrjetëzimit dhe nxitjen e bashkëpunimit mes tyre.

Linda Dervishaj, përfaqësuese e “AGA Academy” tha se: “Për periudhën e pandemisë askush nuk ishte i përgatitur. Ne vetë si drejtues nuk ishim të përgatitur për një situatë të tejzgjatur. Unë personalisht u angazhova që stafi të ishte i qetë dhe të kishte siguri financiare, dhe për vendin e punës. I bëj thirrje të gjithë bizneseve që të mos presin të na vijnë njerëz të kualifikuar, por ne të investojmë në mënyrë që të kemi njerëz të kualifikuar dhe profesionistë.”

Pavlina Katiaj, ka studiuar Ekonomi dhe Biznes në Greqi, dhe ka punuar në disa kompani të mëdha, sot ajo drejton dy bizneset e saj private, njëri prej të cilëve vazhdon ende të vuajë pasojat e pandemisë: “Në bizneset ku unë punoja, të dy u prekën nga pandemia, dhe njëri prej tyre ende nuk ka rinisur punën. Çdo biznes është i veçantë dhe pandemia ndikon ndryshe në biznese të ndryshme, ndaj dhe unë vendosa të flas në përgjithësi në këtë Samit. Një arsye pse pandemia ndikoi në bizneset e femrave është se pjesa më e madhe e bizneseve të femrave janë biznese të vogla dhe që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me klientin dhe ky lloj biznesi ishte ai që u godit i pari”, – shprehet Pavlina Katiaj.

Dinora Loshi, Suedi: “Jam pronare e disa shtëpive dhe apartamenteve në Suedi, biznesi im është dhënia me qira e pronave që disponoj. Personalisht mua nuk më ka prekur periudha e pandemisë në biznes, por sigurisht ka ndikuar në jetën e gjithsecilit prej nesh”.

E pranishme në Samit ishte edhe Fitije Picari, drejtuese e “Studio Picari” në Itali, e cila solli eksperiencën e saj në shtetin fqinj. “Në vitin 2001 mu dha mundësia të bëj një kurs kontabiliteti, për t’ju rikthyer profesionit që lashë në Shqipëri. Projekti i shoqatës ku unë bëj pjesë, synon mirëmbajtjen e godinave të vjetra, një projekt i cili do të rriste vlerën e tyre në treg dhe gjithashtu do të krijonte shumë vende të reja pune, për këtë projekt kërkoj edhe ndihmën e deputetit Lavdrim Krashi”, – u shpreh Fitije Picari.

Viola Kaloutsi në Kanada, e cila drejton bizneset e saj atje, theksoi se: “Unë jam emigrantja e parë shqiptare e emigruar legalisht në vitin 1988. Menaxhoj tri lloj biznesesh, një zyrë konsulence emigracioni, nje kompani transporti dhe një agjensi udhëtimi. Dua ta mbyll me një mesazh, ne gratë jemi shtylla kurrizore e shoqërisë”, – u shpreh ajo.

Linda Shomo, themeluese-krijuese e “Easy Pay Albania” foli rreth eksperiencës saj në llojin e biznesit që ajo drejton: “Është kënaqësi të jem në mesin e grave të suksesshme nga e gjithë bota. Unë vetë drejtoi Easy Pay prej më shumë se 10 vitesh, në një kohë kur në Shqipëri pagesat online në Shqipëri nuk ishin aspak prezente”, – u shpreh Shomo.

Erjona Bajrakurtaj, drejtuese e kompanisë “FCCA Major’s Accounts &Co”. “Unë jam e kualifikuar si kontabiliste në Britani, gjithashtu kam një master në Kontabilitet dhe Financë dhe gjithashtu një master në juridik për Bankë dhe Financë. Prej tri vitesh jam drejtuese e kompanisë FCCA Major’s Accounts &Co, kompani në të cilën punoj prej 13 vitesh”.

Iris Gjinovci themeluese e platformës “School me”, foli rreth këtij projekti inovativ dhe kthimit në Shqipëri: “Unë kam ardhur në shqipëri para 7 vitesh dhe tashmë jetoj mes Shqipëri-Italisë dhe Zvicrës. U ktheva me një projekt që synonte digjitalizimin e mësimit. Një eksperiencë ndër të parat jo vetëm në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe në Evropë. Në atë kohë më pyetën pse po ndërton këtë kurikul për Shqipërinë dhe Kosovën, por unë kisha bindjen se populli shqiptar e do arsimin, mendova se vendi im duhet ta ketë i pari këtë risi.”

Samiti i Grave të Biznesit / Ne jemi shtylla kurrizore e shoqërisë